Lajmi për lirimin e pesë të burgosurve shqiptarë nga Presheva (deri në shpalljen e aktgjykimit më 21 janar 2011) i gëzoi të gjithë shqiptarët, e në veçanti familjet e të burgosurve, por edhe të gjithë shqiptarët e Presheves, Medvegjës e Bujanocit.
Nga dëshira për t’i parë këta trima shqiptarë të cilët u qëndruan të gjitha sfidave dhe mundimeve në burgjet e Serbisë, një delegacion i zyrtarëve të lartë të UDSH (ish LDI) nga Medvegja ( prof.Rexhep Abazi, prof. Gani Krasniqi dhe prof. Ramadan Beqiri) në emër të këtij subjekti, si edhe në emër të shqiptarëve të kësaj komune, të premten më 7 janar 2011 i vizituan preshevarët e liruar nga burgu i Beogradit.
Gjatë kësaj vizite, si në familjet e të burgosurve, po ashtu edhe tek të posa-liruarit, vërehej një atmosferë gëzimi. Por, vërehej edhe një dhembje shpirtërore për vuajtjet e përjetuara, si te ata që ishin në burg, ashtu edhe te të afërmit e tyre.
Kuptohet, ndjenjat e gëzimit ishin të kushtëzuara me 21 janarin – ditën kur duhet të shpallet vendimi i Gjykatës për këta të rinj të cilët thonë se nuk i kishin bërë kurrë gjë të keqe askujt dhe se në burg janë mbajtur kryesisht për nevoja politike të kohës. Ata shpresojnë se vendimi i 21 janarit do të jetë në favor të drejtësisë dhe të tyre, por edhe të katër të tjerëve që ende gjenden në burgun e Beogradit.
Prof. Rexhep Abazi – kryetar i UDSH për Medvegjë, në emër të këtij subjekti, në emër të shokëve me të cilët kishte ardhur, në emër të SH.H. “Medvegja” nga Zvicra, si dhe në emër të shqiptarëve të Medvegjës, të posa- liruarve dhe familjeve të tyre u uroi që ky gëzim të kurorëzohet me lirimin e tyre si të pafajshëm në seancën përfundimtare të 21 janarit 2011 e cila do të mbahet në Beograd.
Njëherësh, po këtë ditë, ky delegacion nga Medvegja mori pjesë në përvjetorin e katërt të sportistit të njohur të Preshevës “Daja”, i cili tragjikisht e kishte humbur jetën, me ç’ rast familjes së të ndjerit, shokëve dhe miqve të të ndjerit u shprehu ngushëllime. Po ashtu, delegacioni uroi për organizimin e përvjetorit për njeriun i cili bëri shumë për këtë pjesë të popullit shqiptar dhe i cili ka lënë zbrazëti të madhe si për familjen e tij, po kështu edhe për tërë rajonin dhe për këtë pjesë të popullit shqiptar. Dajës i qoftë i lehtë dheu i kësaj toke shqiptare.
UDSH-Medvegjë



10 Janar 2011
-Lajmet-